5 gjërat që duhet t’i bëni gjatë një vikendi në Pejë

 5 gjërat që duhet t’i bëni gjatë një vikendi në Pejë

Qyteti i Pejës pas Prishtinës numëron përqindjen më të lartë të turistëve të huaj, pasiqë ofron shumë çka për tu vizituar. Natyra e bukur që përshkruan Bjeshkët e Rugovës me shtegje të shumta për ecje të gjata dhe kamping, janë pikat referuese për çdo vizitor. Pastaj brenda qytetit të Pejës rekomandohet të vizitohen; muzeu i qytetit, çarshia e vjetër e Pejës, mulliri i Haxhi Zekës, etj.

Mirëpo në top 5-shen e listës sonë që ja vlen të vizitohen brenda një vikendi prijnë monumentet dhe vendet e listuara më poshtë:

Patriarkana e Pejës- koha e saktë kur është ndërtuar ky objekt nuk dihet mirëpo mendohet të jetë dikur nga fillimi i shekullit 13. Është monument me vlerë të lartë kulturore dhe i mbrojtur nga Qeveria e Kosovës. Manastiri në kohë të mesjetës ka shërbyer si rezidencë e kryepeshkopisë serbe. Kurse gjatë shekullit të 14, manastiri është zgjeruar duke formuar kështu një kompleks të disa kishave që pas një kohe janë shfrytëzuar nga kishtarët ortodoks edhe si mauzolë për varrosjen e priftërinjëve me grada të larta fetare.

Patriarkana sot është njëra ndër shtyllat turistike të Pejës, veçohet për nga dekori i bukur në brendi të saj. Muret e patriarkanës janë të mbushura me piktura dhe ikona kishtare të kohës. Ka një oborr tejet të mirëmbajtur dhe pamje magjepsëse të maleve të Pejës, të cilat karakterizohen për nga vegjetacioni i bollshëm.

Via Ferrata & Zip Line– për adhuruesit e alpinizmi, Rugova ofron një hapësirë rekreative antistres dhe plot adrenalinë. Via Ferrata e përkthyer nga Italishtja nënkupton “Rrugë e Hekurtë”, andaj edhe shtegu i ngjitjes është i siguruar me shkallë hekuri dhe pajisje përkatëse. Është e përshtatshme gjithashtu për amator të cilët mund t’i përshkruajnë dy rrugë të ndryshme, që të dyja sipër kanjonit të Rugovës. Kurse matanë rrugës për avanturierët e zjarrtë ofrohet edhe një aktivitet tjetër, lëshimi me zip line. Kjo eksperiencë merr më pak se një minutë mirëpo ngelet përherë si kujtim i bukur në kujtesën e gjithsecilit që e provon.

Parku i aventurave-është unik i llojit të tij brenda Kosovës. Me lokacion gjindet sipër qytetit të Pejës, lehtësisht i qasshëm për vetëm 10 minuta me veturë nga qendra e qytetit. Gjithsej shtrihet në një sipërfaqe prej 1.5 hektarësh në 800 metra mbi nivelin e detit. Është i përshtatshëm për ushtrimin e aktiviteteve të ndryshme rekreative nga të rriturit por gjithashtu edhe për fëmijët.

Për fëmijët preferohet që t’i shfrytëzojnë hapësirat rekreative siç janë shtigjet sfiduese për ecje në dërrasa dhe shtegu për ecje në litar. Kurse të rriturit mund të ngasin kuajtë përgjatë natyrës së bukur që i karakterizon ato anë. Një xhiro me luhatësen e famshme konsiderohet si një adrenalinë që duhet patjetër të provohet si dhe ecjet e gjata në bjeshkë.

Pas një dite plot aventura që do mbeten përjetësisht në kujtesën tuaj, mund të shijoni një drekë të bukur tek Shtëpia Alpike Ranch, menjëherë poshtë parkut, ku servohen ushqime bio nga kuzhina tradicionale. Vetëm 5 minuta me makinë nga qendra e Pejës, Parku i Aventurave si pjesë e Shtëpia Alpike RANCH, ofron mundësi për të kaluar një kohë mjaft të pazakontë. Nëse ju vini vetëm, me miqtë apo familjen, gama e gjerë e aktiviteteve që ofron parku do t’iu dhurojë kënaqësi të garantuar.

Liqenat – një ndër pikat më të frekuentuara për ecje të gjata nga turistët vendor dhe të huaj në Kosovë, konsiderohet të jenë Liqenat e Rugovës. Gjindet mbi fshatin Kuqishtë në kufi me Malin e Zi. Përbëhet nga dy liqej të bukur akullnajor, të cilët i shtojnë madhështin e gjithë zonës. Temperaturat e ujit janë të ftohta por gjatë verës mund të shfrytëzohet për tu larë. Konsiderohet si ecje e kalibrit të mesëm pasiqë është teren relativisht i lehtë dhe mund të realizohet për 3 orë e gjysmë ecje duke filluar ecjen nga restauranti i fshatit.

Radavc-Drini i bardh apo siç njihej gjatë kohërave antike me emrin Drilon përbënë një ndër burimet kryesore të ujit në rrafshin e Dukagjinit. Drini i Bardh buron nga mali i Rusolisë, tek shpella e Radavcit rreth 586 metra lartësi mbi detare. Është burim me ujë të rrëmbyeshëm me pamje spektakulare. Ujëvara e Drinit në Radavc është një bukuri e rrallë natyrore dhe pëlqehet jashtëzakonisht shumë nga vizitorët. Skaj lumit mund të pini qetësisht kafe në restaurantet pranë lumit dhe t’i shijoni pamjet fantastike që natyra ka krijuar.

Lexo më shumë

1 Comment

  • Po me qudit si nuk rangoni Muzeu i Pejes! Pa te nuk mund te vizitohet Peja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *