Dokumentari i BBC, Albatrosët në rrezik nga ngrohja globale

 Dokumentari i BBC, Albatrosët në rrezik nga ngrohja globale

Photo Credits: BBC

David Attenborough është një prej njerëzve më të dashur dhe më të vlerësuar në Britani të Madhe. Një gazetar pioner i cili solli në shtëpitë e secilit storie nga bota e egër shtazore nga vende të ndryshme të globit. Me një dashuri dhe përkushtim ndaj natyrës dhe kafshëve, pas përfundimit të studimeve në shkenca natyrore në Cambridge ai përfundoi si prezantues i një emisioni televiziv në BBC për shkak se prezantuesi i paraparë u sëmur pas mbërritjes për xhirime të kafshëve të egra në Sierra Leone. Kështu, gjatë rrugëtimit të tij si autor i shumë dokumentareve që kanë të bëjnë me natyrën, ai pa edhe kërcënimin që po i kanoset çdo ditë e më tepër asaj dhe kafshëve të egra si pasojë e ngrohjes globale.

Kjo, në vitin 2006 solli krijimin e dokumentarëve të tillë si “E vërteta rreth ngrohjes globale”, që njëherit ishte adresimi i parë i tij rreth kësaj çështje. Kjo u ndoq më vonë nga “Sa njerëz mund të jetojnë në planetin Tokë?” që reflektonte shqetësimin rreth rritjes së numrit të popullsisë në tokë.  Ndërsa në tetor të këtij viti, në moshën 93 vjeçare David Attenborough u rikthye në ekran me një episod nga dokumentari Seven Worlds, One Planet (Shtatë botë, një planet).

Ky episod u xhirua në Antarktik dhe solli emocione të shumta. Emocionale ishin momentet përgjatë së cilave u filmua një Albatros duke mos i rezistuar erërave dhe motit të papërshtatshëm.

Albatrosët janë zogj të detit, që jetojnë në ishuj dhe karakterizohen me një jetëgjatësi prej 50 vjetësh. Karakteristikë e Albatrosëve janë krahët e gjatë, më të gjatët në mbretërinë e kafshëve! Kjo i’u mundëson atyre të jenë zogj që pjesën më të madhe të jetës e kalojnë duke fluturuar ndërsa kalojnë shumë pak kohë me këmbë në tokë. Shtrirja e krahëve të tyre arrinë gjatësinë deri në 3 metra, që iu mundëson atyre për të udhëtuar në distanca jashtëzakonisht të gjata.

Gjatë xhirimit dhe shfaqjes së episodit të parë të Seven Worlds One Planet, u pa një albatros i ri teksa përballej dhe rrezikohej nga erërat e fuqishme. Sipas producentëve ishte një skenë shumë e vështirë për t’u xhiruar por sipas tyre përderisa nuk mund të bënin asgjë ndaj ngrohje globale në atë moment, të paktën pasojat e saj do duhej të ishin të dokumentuara. Sipas David Attenborough, ngrohja globale ka sjellur stuhi më të shpeshta dhe më të fuqishme që çdo ditë e më shumë po kërcënojnë dhe rrezikojnë jetën e botës së egër.

Lexo më shumë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *