Gërmi, përurohet “Shtegu i Arinjëve”

 Gërmi, përurohet “Shtegu i Arinjëve”

Photo Credits: Klupi Alpin Prishtina

Gërmia përfshinë pjesën veri-lindore të Prishtinës dhe është e identifikuar si zonë me potencial turistik nga divizioni i turizmit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Përveq tjerash Gërmia ofron kapacitete të shumta për ecje dhe zhvillim të rekreacioneve të ndryshme sportive. Por, mungesa e investimeve në shtigjet e shumta që ky aset natyror ofron, kanë qenë pengesë e zhvillimit të turizmit malor në këtë pjesë të gjelbërt të Prishtinës.

Megjithatë, kemi lajme të mira!

Të premten, Gërmisë dhe gjithë dashamirëve të ecjes dhe sportit i’u shtua edhe një shteg i cili lidhë këtë zonë me strehimoren e Arinjëve, gjegjësisht fshatin Novosellë. “Shtegu i Arinjëve” përbën një gjatësi prej 5.6km dhe fillon në vendin e ashtuquajtur Dardhishtë dhe përfundon në strehimoren e Arinjëve.

Përfaqësuesi i Klubit Alpin Prishtina duke shpjeguar karakteristikat e shtegut përmes hartës

Sipas përfaqësuesit të Klubit Alpin Prishtina, Nazmi Hasanramaj ky shteg bën pjesë në kategorinë e parë të shtigjeve, që përfshinë ecjen e një fëmiu por edhe një biçiklisti pa pasur probleme, përderisa ka një gjerësi prej 2-2.5 metra. Sipas tij ky shteg do të jetë shumë i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit malor dhe tërheqjes së njerëzve prej pjesës qendrore të Gërmisë, duke ditur se Gërmia shfrytëzohet për ecje nga rreth 500.000 njerëz në vit.

Harta e Gërmisë (“Shtegu i Arinjëve” – pjesa me ngjyrë të kuqe)

Ai theksoi se ky shteg do të mundësojë edhe mbrojtjen e drunjëve nga prerja, pasiqë persona të pandërgjegjshëm nuk do të kenë mundësi për t’a bërë një gjë të tillë më, me rritjen e qarkullimit të njerëzve. Madje në shenjat gjatë rrugës është i vendosur edhe numri në të cilin qytetarët mund të denoncojnë çfarëdo parregullsie që shohin.

Në pranverë pritet të fillojë një fazë tjetër e punimeve në këtë shteg, që përfshinë shtrimin me zhavor sepse dimri e pamundëson një gjë të tillë. Por, sipas tij edhe ajo do të bëhet në bashkëpunim me ekspertë të dheut dhe komunën nëse do të lejojnë të hidhet zhavor apo jo, pasiqë ky shteg përbën një shteg natyror. Përgjatë shtegut do të vendosen edhe pengesa për biçikleta, për shkak të shpejtësisë së madhe që mund të zhvillohet.

Të pranishmit patën një kërkesë për komunën e Prishtinës, që sa më shpejt të mundësojë një linjë të trafikut urban nga qyteti në fshatin Novosellë në mënyrë që të rritet qarkullimi i njerëzve që shfrytëzojnë këtë shteg. Momentalisht në atë pjesë operon vetëm linja private nr. 17 që shkon deri në fshatin Mramor. Nga ky fshat mbeten edhe 2.7 kilometra për të arritur tek strehimorja e arinjëve.

Të pranishmit në përurimin e “Shtegut të Arinjëve”

Projekti “Shtegu i Arinjëve” është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me mbështetjen e drejtorisë së parqeve të Komunës së Prishtinës ndërsa është implementuar nga CARE International dhe alpinistët e Klubit Alpin Prishtina në bashkëpunim me Hortikulturën.

Lexo më shumë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *