Intervistë me Granit Temaj: Hiking-u, hobi që u shndërrua në profesion

 Intervistë me Granit Temaj: Hiking-u, hobi që u shndërrua në profesion

Photo Credits: Granit Temaj

Që sa kohë keni filluar të mirreni me aktivitetin e hiking? Me hiking kam filluar të mirrem që i vogël, por aktivisht kam filluar që nga viti 2014 ku pothuajse çdo fundjavë kam vizituar shtigje të ndryshme hikingu.

 Cilat janë majat më të larta që keni ngjitur dhe na përshkruani emocionin që ju kaplon në momentin e ngjitjes në maje! Jam person që më shumë e shijon natyrën dhe e gjithë kohën e kaluar në mal, kurse ngjitja në maje shënon vetëm një triumf të asaj ekserience. Majet më të larta që kam pasë rastin t’i ngjisë gjenden kryesisht në Kosovë dhe Shqipëri, përfshirë këtu; Korabin, Jezercën, Rudokën, Gjeravicën etj.

Liqenet e Jezercës, Photo Credits: Granit Temaj/Alpventurer

Cilat pika hikingu i rekomandoni për dashamirët e natyrës të cilët janë në fillesat e para të këtij hobi? Jemi me fat që Kosova ka shume vende të bukura dhe tejet të përshtatshme për fillestar që dëshirojnë të praktikojnë ecjet e gjata në natyrë.  Çdo fillestari do të ja rekomandoja Malet e Sharrit që janë male livadhore dhe shumë të përshtatshme për ecje në çdo stinë. Mirëpo edhe Bjeshkët e Rugovës kanë shtigje shumë të bukura për fillestarë, duke numëruar këtu; Hajla, Dromodoli në Koshutan, dhe Liqenati në Kuqishtë.

Drini i Bardhë: Photo Credits: Granit Temaj/Alpventurer

Cilat janë benefitet nga ecjet e gjata në natyrë  për një individ dhe çfarë rreziqesh mund të paraqiten gjatë përshkrimit të një itinerari të caktuar? Benefitet janë të shumta si nga ana fizike, ku njëherit sforcohen muskujtë dhe eshtërat, si dhe normalizohen rrahjet e zemrës. Po ashtu hikingu ndikon pozitivisht në shëndetin mental, konsiderohet si anti-stres dhe rritë vetëbesimin. Kurse si rrezik eventual mund të jetë mos planifikimi adekuat i kohës. Veçanërisht gjatë sezonës së dimrit kur ditët janë më të shkurtëra dhe temperaturat më të ulëta është mirë që koha të kalukulohet më përpikëmëri me qëllim për të shmangur orvatjet e panevojshme në ambient të hapur. Gjithashtu, rrezik tjetër mund të jetë mungesa e pajisjeve të duhura për hiking.

A mendoni se në Kosovë ka hapësira të mjaftueshme për rekreativitet e veçanërisht për të praktikuar ecjet e gjata?
Po, në Kosovë ka shumë shtigje interesante për të ushtruar aktivitete të ndryshme rekreative. Një ndër këto mund të cilësohet “Peaks of The Balkans” shteg që lidhë Kosovën me Malin e Zi dhe Shqipërinë.  Së fundmi jam i kënaqur që është duke u punuar në zhvillimin e shtegut tjetër që quhet “High Scardus” i cili përshkruan një vizë lidhëse mes Kosovës, Maqedonisë së Veriut , dhe Shqipërisë.

Malet e Sharrit, Photo Credits: Granit Temaj/Alpventurer
Valbonë, Photo Credits: Granit Temaj/Alpventurer

Kur keni filluar t’a materializoni këtë profesion dhe si ju lindi ideja për të krijuar një kompani që ofron shërbime si guida për hiking? Ofrimin e shërbimit për guida malore kam filluar t’a ushtroj rreth 2 vite më parë, fillimisht kam krijuar blog-un personal alpventurer.com, dhe më pastaj kam pranuar kërkesa nga persona të ndryshëm, e kryesisht turistë ndërkombëtar për t’i shoqëruar dhe udhëhequr në ecje të ndryshme malore por edhe në vizita turistike kudo nëpër qytete.

 A organizoni edhe evente të tjera “Outdoor” dhe cilat janë ato? Po, gjatë stinës së verës alpventurer organizon edhe Camping.

Liqeni Bovilla, Photo Credits: Granit Temaj/Alpventurer

Përse e keni përzgjedhur pikërisht këtë profesion dhe si ka ndikuar në jetën tënde? Fillimisht për hirë të korrektësisë më duhet të sqarohem se ky është profesioni im sekondar. Përzgjedhja e tillë ka ardh në formë natyrale pasiqë hobi më është shëndërruar gradualisht në profesion. Praktikimi i shpeshtë i këtij profesioni ka ndikuar pozitivisht në mua e kryesisht në aspektin social. Përmes tij kam arritur që të njoftoj njerëz të ndryshëm nga kultura të ndryshme rreth e qark botës. Dhe ky aspekt është vlerë e shtuar për mua.

Lumi i Shalës, Photo Credits: Granit Temaj/Alpventurer

Prej cilave shtete vijnë kryesisht klientët tuaj dhe cilat janë përshtypjet e klientëve tuaj për natyrën e Kosovës? Kemi klientë nga e gjithë bota, por kryesisht vijnë nga vendet e Europës. Përshtypjet e tyre për natyrën e Kosovës janë të mira. Në fakt turistët e huaj gjithnjë ngelen të befasuar me bukuritë e vendit tonë. Meqë ka pak informacione online për Kosovës, vizita e tyre në mëmëdheun tonë dukshëm i tejkalon pritshmëritë e tyre. Cilësohet si një dhuratë e bukur për ta.

Mirushë, Photo Credits: Granit Temaj/Alpventurer

A keni pranuar ndonjëherë ndihmë financiare nga autoritetet vendore për të mbështetur aktivitetet tuaja pasiqë organizimi i ecjeve të gjata në natyrë njëkohësisht nënkupton promovimin e turizmit malor? Jo, nuk kam pasur ndihma të kësaj forme asnjëhere.

Cilat pika malore i keni vizituar këtë vit dhe cila eksperiencë ju ka pëlqyer më së shumti? Gjatë këtij viti kam realizuar shumë eksperienca të bukura malore sidomos në Bjeshkët e Nemuna, diku rreth 40 ngjitje. Ndër eksperiencat më të bukura janë, Liqenet e Jezercës, Vuthaj – Valbonë, dhe Lepushë-Parku Nacional i Grebajës që ndodhet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Lepushë-Grebanë, Photo Credits: Granit Temaj/Alpventurer

Cilat janë sukseset që keni shënuar gjatë vitit 2019 dhe çfarë plane dhe pritshmëri keni për vitin 2010? Objektivi kryesor është që t’i promovoj sa më shumë destinacionet malore në Kosovë dhe Shqipëri, për të cilat do të angazhohem aktivisht në përditshmëri që t’i realizoj me sukses. Pres që në vitin 2020 të ketë shtim të dukshëm të turistëve të huaj në Kosovë.

Ju lutem na rekomandoni se çfarë pregatitjesh duhet bërë fillimisht në mënyrë që të realizojmë një eksperiencë të paharruar gjatë ecjeve të gjata në mal! Së pari rekomandohet të të bëhet një hulumtim i thukët i destinacionit ku synojmë të arrijmë. Duhet analizuar mirë shtegu i ngjitjes, kohëzgjatja e ngjitjes dhe moti që do të mbretëroj gjatë ditës së ngjitjes. Në bazë të informatave të grumbulluara, atëhere duhet vendosur për veshjet, ushqimin dhe pajisjet që na nevojiten për të realizuar një aventurë të paharruar. Është tejet e rëndësishme që këpucët malore të jenë cilësore dhe gjithmonë duhet pasur me veten Ndihmën e Parë.

Luboten, Photo Credits: Granit Temaj/Alpventurer

Çfarë implikimesh rezulton të kenë ecjet e gjata në mirëqenien e një individi? Ulë rrezikun për sëmundje të zemrës,përmirëson tensionin dhe nivelin e sheqerit në gjak, rritë densitetin e eshtërave, sforcon muskujtë, përmirëson ekuilibrin, ndihmon në kontrollimin e peshës.

Për fund çka do t’i rekomandonit lexuesve të KosovaGreenZone? Lexuesve të KGZ ju rekomandoj që të fillojnë të merren me aktivitete në natyrë, pasiqë është mënyra e duhur për të e rigjetur veten. Po ashtu, t’i inkurajojnë të tjerët që t’a praktikojnë këtë hobi. Dhe për fund po e përmbylli me një thënie të urtë të gjuhës Shqipe: “Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë”

Bjeshkët e Rugovës, Photo Credits: Granit Temaj/Alpventurer

Lexo më shumë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *