Kosovë, ndërtimi i stufës efiçiente me më pak ndotje

 Kosovë, ndërtimi i stufës efiçiente me më pak ndotje

Dimri në Prishtinë, përveq të ftohtit dhe borës sjell edhe ajrin e ndotur i cili është duke u bërë kërcënuesi më i madh i shëndetit të njerëzve gjatë kësaj kohe. Përveq termocentraleve të qymyrit që gjenden shumë afër kryeqytetit dhe numrit të madh të veturave, janë ngrohjet shtëpiake me qymyr të cilat i kontribuojnë në masë të madhe ndotjes.

Por, gjetja e alternativave për ngrohje pa shkaktuar ndotje mbetet ende sfidë në vendin tonë. Megjithatë, duke qenë promotorë të ambientit të pastër dhe alternativave rigjeneruese të jetesës, organizata jo qeveritare GAIA, këtë tetor të ngrohtë kishte mbledhur 15 të rinjë nga e gjithë bota për të ndërtuar një mënyrë alternative të ngrohjes me më pak ndotje.

Fshati Bozhefc i komunës së Ranillugut ishte destinacioni i këtyre të rinjëve të udhëhequr nga profesionistë të fushës, në një punëtori që zgjati 5 ditë. Gjatë kësaj kohe ata mësuan të ndërtojnë dhe vënë në funksion një stufë efiçiente, e njohur në gjuhën angleze si “Mass Heater”, që është shumë më efikase se ngrohjet e zakonshme dhe krijon shumë më pak mbeturina. Por si funksionon kjo?

Kjo stufë është e ndërtuar nga tullat dhe e përforcuar nga jashtë me beton. Për shkak të temperaturës deri në 1000 gradë celcius që krijohet brenda, izolohet me perlit, një xham i imët vullkanik që mundëson izolimin e temperaturës së lartë.  Procesi i ndërtimit është kompleks dhe kërkon një precizitet dhe profesionalizëm të madh për t’u arritur edhe një ndër qëllimet kryesore të kësaj ngrohëse – djegia e 98% të drurit duke arritur efikasitetin maksimal. Kjo stufë lidhet me një oxhak që vendoset jashtë dhe gjithashtu lidhet me tuba metalikë (që quhen edhe bateri termike) që shpërndahen në hapësirën që ju zgjedhni. Në rastin e kësaj punëtorie ata kanë zgjedhur të formojnë një stol me baltë apo beton mbi tubat metalikë të dalur nga stufa.

Nxehtësia e transferuar në stol udhëton dhe ruhet ngadalë brenda baterisë. Sa më e madhe të jetë masa e stolit aq më e madhe do të jetë sasia e nxehtësisë, për shkak të kombinimit të djegies së fortë dhe aftësisë jashtëzakonisht të lartë akumuluese të baterisë termike.

Në këtë mënyrë druri digjet në mënyrë efiçiente pa shkaktuar mbeturina, por në të njëjtën kohë ruhet e gjithë nxehtësia e krijuar nga kjo djegie. Më gjegjësisht për ¾ orë djegie kjo bateri termike mund të lirojë nxehtësi deri në 30 orë. Kështu mundësohet ulja drastike e sasisë së drunjëve të nevojshëm për ngrohje. Me një ngrohës të tillë sasia e nevojshme e drurit për një temperaturë të qëndrueshme do të ishte rreth 2 ose 3 metra kub dru.

GAIA është një organizatë jo-qeveritare e themeluar në vitin 2010, qëllimi kryesor i së cilës është të punojë drejt paqes, drejtësisë sociale dhe mjedisore, si degë zyrtare e Shërbimit Civil Ndërkombëtar (SCI), një prej organizatave më të mëdha ndërkombëtare të vullnetarizmit.

Lexo më shumë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *