Ndikimi i acidifikimit të oqeaneve në botën shtazore ujore

 Ndikimi i acidifikimit të oqeaneve në botën shtazore ujore

200 vitet e fundit, që nga fillimi i revolucionit industrial, përqendrimi i dioksidit të karbonit (CO2) në atmosferë është rritur për shkak të aktiviteteve të njerëzve duke djegur karburante fosile (emetimet e makinave) dhe ndryshimi në mënyrën e përdorimit të tokës (shpyllëzimi). Gjatë kësaj kohe, pH i ujërave sipërfaqësore të oqeanit ka rënë me 0,1 njësi pH. Kjo do të thotë se aciditeti apo procesi i absorbimit të CO2 nga ajri në oqean është rritur.

Sipas një studimi të fundit, Oqeani Paqësor në bregun Perëndimor po acidifikohet me dyfishin e nivelit të pjesës tjetër të oqeaneve të botës. Si rezultat parashihen efekte potenciale katastrofike për guaskat dhe butakët tjerë që jetojnë aty.

Gjetjet, të botuara të hënën në revistën Nature Geoscience, ishin produkt i një studimi shtatë vjeçar të udhëhequr nga Emily Osborne, hulumtuese në programin e acidifikimit të oqeanit pranë Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike.

Osborne filloi të mbledhë mostra të sedimenteve nga pellgu i Santa Barbara në brigjet e Kalifornisë Jugore qysh në vitin 2013. Për shkak se pellgu ka pak oksigjen dhe mungesë të bimëve dhe kafshëve, sipërfaqja e oqeanit ka mbetur relativisht e qetë. Bërthama e sedimentit që ajo nxori nga pellgu përmbante guaskat e foraminifera, një plankton njëqelizor, që daton nga 1895.

Pas peshimit dhe fotografimit të secilit ekzemplar, Osborne krahasoi trashësinë e guaskave të tyre duke zbuluar se, që nga viti 1895 trashësia e guaskës ishte ulur me 20 përqind për shkak të rritjes së acidifikimit të oqeanit.

Oqeani thith dioksidin e karbonit nga atmosfera, e cila zvogëlon nivelet e pH dhe përqendrimet e karbonatit të kalciumit, një mineral i përdorur nga butakët për të forcuar guaskat e tyre. Ndërsa lirohet më shumë karbon në atmosferë, përqendrimet e karbonatit të kalciumit zvogëlohen dhe guaskat e organizmave si foraminifera bëhen më të holla, një trend që Osborne e pa qartë në bërthamat e sedimentit që ajo ekzaminoi.

Jonet e karbonateve janë një ndërtim i rëndësishëm i strukturave të guaskave të butakëve të detit dhe koraleve. Ndryshimet kimike të oqeanit ndikojnë edhe tek organizmat tjerë që jetojnë në oqean. Aftësia e peshqve për të zbuluar grabitqarët pëson rënie në ujër më acidike.  Gjithashtu, kjo rritje e aciditetit ndikon edhe në vështirësitë e disa larvave të peshqve për të lokalizuar habitatin e përshtatshëm. Për më tepër, aciditeti më i madh dëmton aftësinë e tyre për të bërë dallimin midis “erës” së specieve të tyre dhe asaj të grabitqarëve. Kështu, kur këta organizma janë në rrezik, i gjithë rrjeti ushqimor mund të jetë në rrezik në të njëjtën kohë.

Acidifikimi i oqeanit pritet të ndikojë në shumë specie oqeanike në shkallë të ndryshme por ajo çfarë është e sigurt është se kafshët ujore po rrezikohen në masë të madhe. Nëse nuk ndërmerren masa urgjente për uljen e emetimeve të CO2 në atmosferë, do të jetë shumë vonë për çdo veprim të mëtejmë të rikuperojmë dëmet që i kemi shkaktuar vetë, ne njerëzit.

Lexo më shumë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *