Termokiss i shton ngjyra kulturës në Prishtinë

 Termokiss i shton ngjyra kulturës në Prishtinë

Një ngjarje interesante për dashamirët e poezisë do të mbahet nesër me datë 30.12.19 në Kino Armata duke filluar nga ora 21:00. Është fjala për “Slam Poetry” ku persona të ndryshëm do të lexojnë dhe recitojnë poezi. Eventi organizohet nga Termokiss, më përkatësisht nga klubi i Termokiss-it, Çlirim Poetik.

Vlen të potencohet fakti se eventi do të jetë i hapur për të gjithë, dhe nuk ka ndonjë agjendë konkrete. Të gjithë adhuruesit e poezisë do t’a kenë rastin që të performojnë dhe janë të hapur t’i recitojnë poezitë e tyre në gjuhën origjinale të shkruar.

Sipas përshkrimit të eventit në rrjetet sociale, ky aktivitet “ka për qëllim t’i promovojë shpirtat që gjejnë çlirim emocional përmes poezisë e prozës”. Gjithashtu, organizatorët u bëjnë thirrje të gjithë atyre që poezitë e shkruara i kanë lënë në fletore, të pa shpalosura, të vijnë dhe t’i ndajnë ato me të tjerët.

Erleta Morina, anëtare e komunitetit Termokiss, thotë se një aktivitet i kësaj natyre është organizuar edhe në të kaluarën. Për më tepër, klubi “Çlirim Poetik” organizon edhe punëtori për shkrimin e poezive, andaj personat të cilët pëlqejnë këtë zhanër të shkrimit inkurajohen që të anëtarësohen në klub.

Momentalisht në Termokiss operojnë 15 klube të ndryshme të cilat zhvillojnë aktivitete të shumta. Disa nga klubet interesante të Termokiss janë; klubi i Yoga-s, filmit, cirkut, punëtoria me dru, ku njëherit ekspertë të fushës ofrojnë ligjerata relevante mbi gdhendjen e drurit dhe prodhimin e mobiljeve. Po ashtu, ekziston klubi i muzikës ku pjesëtarët mësojnë kryesisht për audio inxhinieri.

Lexo më shumë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *